Pandemia COVID-19, preku të gjithë sektorët, mirëpo rënia e aktiviteteve të përditshme, mbyllja totale për një kohë të caktuar, ndikoi shumë edhe në sektorin e prodhimtarisë.
Për tu njoftuar me vështirësitë e përballjes së sektorit të prodhimtarisë, konkretisht sektorit të mbjelljeve, Radio KFOR-i kontaktoi bujkun, Ismet Bekteshi, i cili tregoi vështirësitë e tij si prodhues gjatë pandemisë: “Për ne si prodhues, së pari, ishte frika se sa do të arrijmë t’i shesim prodhimet tona. Ne, pavarësisht COVID-19 kemi vazhduar të prodhojmë, sepse pa ushqim nuk do të kishim mundur as të ekzistonim. Ne prodhuesit dhe shitësit e prodhimeve tona, mundohemi të kujdesemi, sigurisht duke përdorur maska, me dezinfektim të duarve, jemi edhe të vaksinuar dhe po vazhdojmë punën tonë. Pa prodhim nuk ja jetë, nuk ka gjallëri dhe nuk ka të ardhura.”
Falë punës së palodhshme dhe të pandalshme të të gjithë pjesëtarëve të hortikulturës, në mbjellje, vjelje dhe përpunimin e të lashtave, furnizimet e prodhimeve kryesore në vend janë të mëdha, perspektivat e prodhimit janë të favorshme dhe rezervat e drithërave pritet të jenë gjithashtu të mjaftueshme.