Me fillimin e vitit të ri shkollor, kanë filluar edhe sfidat dhe aventurat për nxënësit. Mirëpo, kjo periudhë është sfiduese edhe për prindërit, të cilët çdo ditë i përcjellin aktivitetet mësimore të fëmijëve të tyre.
Një nga sfidat më të shpeshta, është tendenca e fëmijëve për ti lënë anash detyrat e shtëpisë, e këtu një pjesë të përgjegjësisë e kanë vet prindërit. Në lidhje me metodat dhe qasjen e detyrave të shtëpisë me fëmijët, Radio KFOR-i, bisedoi me psikologe, Mirjeta Pestisha, e cila tha: “Krijoni një zonë miqësore për detyrat e shtëpisë. Sigurohuni që fëmijët të kenë një vend të ndriçuar mirë, për të përfunduar detyrat e shtëpisë. Programoni një kohë të rregullt studimi. Disa fëmijë punojnë më mirë pasdite, pas një periudhe të ngrënies së ushqimit dhe lojës, ndërsa disa të tjerë preferojnë të presin deri pas darkës. Ndihmojini ata të bëjnë një plan. Në netët e rënda të detyrave të shtëpisë ose kur ka një detyrë veçanërisht të rëndë për të trajtuar, inkurajoni fëmijën tuaj ta ndajë punën në copa të menaxhueshme. Krijoni një orar pune për natën, nëse është e nevojshme dhe merrni kohë për një pushim 15-minutësh çdo orë, nëse është e mundur. Mbani shpërqendrimet në minimum. Kjo do të thotë që nuk ka TV, muzikë me zë të lartë ose thirrje telefonike, megjithatë, ndonjëherë, një telefonatë me një shok klase për një detyrë, mund të jetë e dobishme.”
Prindërit duhet të jenë motivues dhe monitorues si dhe të sigurohen që fëmijët ti përfundojnë detyrat e shtëpisë, duke ju dhënë atyre sugjerime dhe udhëzime, mirëpo duhet rikujtuar atyre se është detyrë e tyre që të mësojnë.