Kosova ka qenë nikoqire e pjesës së parë të “Shkollës Pranverore Feministe” që bëri bashkë shumë vajza shqiptare dhe serbe, për të shkëmbyer ide, për të bashkëpunuar dhe për të gjetur pikat e përbashkëta për të fuqizuar pozitën e gruas në shoqëri.
Për të kuptuar më shumë rreth këtij aktiviteti, Radio KFOR-i ka intervistuar Menaxheren e Projekteve në Artpolis, Nertila Qarri-Gërguri e cila tha:“Këtë vit, “Shkolla Pranverore Feministe”, pjesa e parë, është mbajtur në Kosovë. “Shkolla Pranverore Feministe” është shkollë jo formale, ku vajzat e përzgjedhura kanë mundësi që të dëgjojnë ligjërata të ndryshme nga aktiviste dhe profesioniste të fushave të ndryshme, por që ligjëratat kryesisht ndërlidhen me feminizmin, barazinë gjinore, pastaj me ligjin, ndërtimin e paqes dhe tema të tjera. Nga viti 2014, kur ka filluar të mbahet, “Shkolla Pranverore Feministe” ka ndikuar që vajzat të vazhdojnë të kenë kontakte edhe pas përfundimit të shkollës, të kenë shoqëri mes vete dhe të bashkëpunojnë edhe në projekte të tjera, si dhe të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre pa dallim etnie”.
Pjesë e “Shkollës Pranverore Feminsite” është edhe gazetarja, 26 vjeçare nga Vranja, Dejana Cvetkovic , e cila po merr pjesë për herë të parë në këtë shkollë. Ajo për Radio KFOR-in ka ndarë eksperiencën e saj gjatë këtyre ditëve: “Unë si gazetare veç i kam trajtuar temat e barazisë gjinore, dhunës në familje, dhe ajo që më ka nxitë që të aplikoj në këtë shkollë është lufta e grave për barazi gjinore , luftë e cila është e përbashkët e të gjitha grave. Përveç ligjëratave, ne vajzat dhe gratë pjesëmarrëse, jemi afruar më shumë, i kemi thyer barrierat që kanë ekzistuar më parë, e para së gjithash jemi shoqëruar, argëtuar dhe kemi shprehur mendimet e hapura e pozitive. Prandaj, mesazhi im për të gjitha gratë dhe vajzat pa dallim është thirrje për bashkëpunim, komunikim, sepse të gjitha gratë e kanë qëllimin e përbashkët, e ajo është kërkesa për një pozitë më të mirë të gruas në shoqëri.”
Ndërkaq, studentja e Fakultetit të Juridikut, në Universitetin e Prishtinës, Margiona Uka përmes frekuencave të Radio KFOR-it u bëri thirrje të gjithë të rinjve për bashkëpunim pa dallim etnie: “Është hera e parë që i bashkohem “Shkollës Pranverore Feministe” , ku përveç ligjëratave na ka bërë që të shoqërohemi mes vete dhe të shohim se cilat janë pikat kyçe, që ne si vajza, i kemi të përbashkëta. Mesazhi im për të gjithë është që të bashkëpunojmë pavarësisht dallimeve, pasi vetëm kështu mund të kontribuojmë në fuqizimin e gruas“.
Pjesa e dytë e “Shkollës Pranverore Feministe” e cila organizohet nga “Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet” dhe “Qendra Alternative e Vajzave”, do të mbahet përgjatë muajve tetor e nëntor, të këtij viti.