Klubi i sapoformuar i automjeteve historike, “Oldtimer Club Prishtina”, është një organizatë e përkushtuar për mbrojtjen, konservimin dhe promovimin e automjeteve historike, duke i paraqitur ato si një trashëgimi e çmuar e kulturës teknike. Ky klub shërben si një muze në rrota, duke u siguruar që automjetet historike të ruhen dhe të prezantohen për gjeneratat e reja.
Në Prishtinë, pasioni për automjetet historike ka ekzistuar prej kohësh ku shumë qytetarë kanë poseduar dhe posedojnë automjete historike, që janë më të vjetra se 30 vjet, që janë mirëmbajtur dhe ruajtur në gjendjen e tyre origjinale dhe që nuk janë përdorur si mjet transporti ditor.
Themeluar nga dashamirësit e automjeteve historike në Prishtinë, OTC Prishtina synon të mbledhë dhe të dokumentojë automjetet historike në rajon.
Njëri nga themeluesit e klubit të automjeteve historike, është Albian Ismaili, i cili ka dhënë një interivstë për Radio KFOR-in duke folur më gjërësisht për klubin:
“Deri më tani, klubi ka mbi 20 anëtarë dhe numri po rritet çdo ditë. Numri i automjeteve historike në territorin e Kosovës është i panjohur për faktin se kjo veprimtari nuk është e rregulluar me ligj të veçantë.”
Ndër të tjera, Ismaili tha: “Deri më tani, në rajonin e Prishtinës kemi arritur ta identifikojmë një veturë të prodhuar në vitin 1948 e llojit Packard. Fatkeqësisht legjislacioni në fuqi lejon zhdoganimin e automjeteve më të vjetra se 10 vjet, mirëpo nuk e mundëson regjistrimin dhe qarkullimin e tyre”
OTC Prishtina planifikon ekspozita të automjeteve historike në Prishtinë.
Pronarët e automjeteve historike përballet me sfida të tilla si mungesa e ligjislacionit dhe pjesëve të këmbimit.
Për të gjithë ju që keni automjete historike, mund të regjistroheni në klubin “Oldtimer Club Prishtina” të socializoheni me njerëz që ndajnë të njejtin pasion, të jeni pjesë e organizimeve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe të merrni këshilla se si ti mirëmbani në mënyrën më të mirë të mundshme.







