“Dita Botërore e Metrologjisë”, e cila shënohet çdo vit me datën 20 maj, kujton nënshkrimin e “Konventës së Matësit” të datës 20 maj, të vitit 1875, e cila ishte bërë nga përfaqësues të shtatëmbëdhjetë kombeve, duke vendosur kornizën për bashkëpunimin global në shkencën e matjes metrike dhe në aplikimet e saj industriale, tregtare dhe shoqërore.
Matjet e sakta, janë thelbësore për të garantuar cilësinë e produktit, sigurinë dhe drejtësinë në tregti si dhe për avancimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit teknologjik, prandaj qëllimi i “Ditës Botërore të Metrologjisë” është të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e matjeve të sakta dhe të besueshme në aspekte të ndryshme të shoqërisë, duke përfshirë shkencën, industrinë, tregtinë, kujdesin shëndetësor dhe mjedisin.
Çdo vit, “Dita Botërore e Metrologjisë” ka një temë specifike e cila nxjerr në pah aspekte të ndryshme të metrologjisë dhe ndikimin e saj në shoqëri, ndërsa tema e sivjetme është “Qëndrueshmëria”, e cila është zgjedhur për lidhjen e saj me mundësitë e ndryshme të matjes, thelbësore për nxitjen e një ekonomie dhe mjedisi të qëndrueshëm global.







