Çdo vit, më 19 gusht, shënohet “Dita Botërore Humanitare”, një ditë kushtuar punonjësve humanitarë që rrezikojnë jetën për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të prekur nga luftërat, fatkeqësitë natyrore dhe krizat humanitare në mbarë botën.
Kjo ditë synon të nderojë kontributin dhe sakrificën e punonjësve humanitarë si dhe të rrisë ndërgjegjësimin për nevojën e mbrojtjes së tyre gjatë kryerjes së misioneve shpëtimtare. Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, personeli humanitar dhe ai mjekësor duhet të respektohen dhe të mbrohen në çdo rrethanë.
Tema e këtij viti “Le ta bëjmë mbrojtjen e njëri-tjetrit arritjen tonë më të madhe”, përcjell mesazhin se mbrojtja e punonjësve humanitarë, nënkupton edhe mbrojtjen e miliona njerëzve që varen nga ndihma e tyre për ushqim, kujdes shëndetësor, strehim dhe shpresë.
Me rastin e kësaj dite, OKB-ja fton të gjithë t’i bashkohen fushatës #ActForHumanity (Vepro për njerëzimin), që mëton të mbështes mbrojtjen e civilëve humanitarë dhe promovon respektimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare.







