Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se procesi mësimor do të fillojë nesër, me 1 shtator, me ç’rast Ministrja e MASHT-it, znj. Arbërie Nagavci, bashkë me zëvendësministrin e Arsimit, z. Taulant Kelmendi dhe drejtorë të departamenteve të MAShTI-t, diskutuan me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit për përgatitjet e fillimit të vitit të ri shkollor 2023/24.
Ministrja Nagavci, ka bërë të ditur se deri më tani në portalin e-kosova janë pranuar rreth 80.000 aplikime, në platformën e cila do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator. Ministrja njoftoi drejtorët Komunalë të Arsimit, se prindërit që tashmë kanë aplikuar për tekste dhe materiale shkollore, mjetet pritet t’iu deponohen në llogari para datës 1 shtator.
Lidhur me një nga sfidat kryesore në të cilën kanë hasur prindërit, aplikimi online për fëmijët që mbushin 6 vjeç, pas 1 shtatorit, ministrja i siguroi se këto dhe të tjera ankesa po trajtohen me seriozitet dhe përkushtim nga ekipet mobile.
Ajo thekoi se komunat tashmë janë informuar që shkollat mund të bëjnë përzgjedhjen e titujve të teksteve, të cilat mësuesit duhet t’i ndajnë me prindërit, para fillimit të procesit mësimor. Po ashtu tha se, shtëpitë botuese kanë konstatuar se ka tekste të mjaftueshme dhe nuk do të ketë probleme me furnizim të librave.