Edicioni i ri i festës së vjeljes së rrushit “Hardh Fest”, këtë vit do të mbahet nga dita e nesërme, përkatësisht në datat 1, 2 dhe 3 shtator nën sloganin “Prek n’rrush, shijo n’ven”. Edhe këtë vit si çdo vit tjetër, festivali në fjalë po organizohet në vikendin e parë të muajit shtator, me që përkon me javën e vjeljes së rrushit. ‘Hardh Fest’ vjen me shumë aktivitete për të gjithë adhuruesit e muzikës dhe jo vetëm, ku më shumë detaje rreth këtij festivali, për Radio KFOR-in tregoi zyrtarja për marrëdhënie me publikun e këtij festivali, znj. Dea Luma: “Si gjithmonë ‘Hardh Fest’, gjatë 3 ditëve të festivalit do të organizojë aktivitete të ndryshme. Do të nisë në ora 12:00 me disa adresime zyrtare, për të vazhduar me hapjen e panairit të verës, rakisë dhe rrushit, e më pas do të nisin aktivitetet si garat në vjeljen e rrushit, garat në shtrydhjen e rrushit dhe demonstrimi i pjekës së rakisë. Më pas organizohet ‘Hardh Tour’, ku do të behët vizitë në vreshtat e bodrumeve të Rahovecit, monumenteve historike e kulturore, HardhKids e Hardh Ex (gara se kush pi më shpejt disa gota raki) dhe këtë vit për risi në listën e aktiviteteve do të jetë aktiviteti ‘Vrapim me Gota të Verës’. Gjithashtu një nga aktivitetet kryesore të ‘Hardh Fest’, është edhe aktiviteti ‘Ora Poetike’, ku gjithmonë i dedikohet poetit tonë shumë të njohur e që tashmë nuk ndodhet më në mesin tonë, i ndjeri Xhevdet Bajraj.”
Në këtë edicion do të ketë shumë muzikë, do të performojnë grupi Jericho, Asgjë Sikur Dielli, Offcherstra, Xuxi, Grupi Na, Renis Gjoka, Minatori dhe shumë DJ dhe bende të ndryshme që do të jenë një surprizë për publikun. Në këtë edicion, pjesë e festivalit do të jetë edhe bendi i mirënjohur Dire Straits Legacy, ku për herë të parë në Kosovë, publiku do të ketë mundësi ti dëgjoj live këngët e grupit legjendar Dire Straits.
E gjithë këto net, do të shoqërohen me ‘after party’ në Hardh Camp, ku kampi është i vendosur në mes të vreshtave, në një pejzash mahnitës.