Dëshira e madhe për të informuar dhe argëtuar publikun, i ka lindur qysh në fëmijëri, për të nisur rrugëtimin në fushën e medias në moshën 18 vjeçare dhe për të rënë në sy e vesh të shumë njerëzve, me një zë kumbues, të veçantë dhe i përgatitur para mikrofonit, që nxitë masën ta dëgjoj me vëmendje. Këto janë vetëm disa nga cilësitë e gazetarit, komentatorit dhe njëherit moderatorit, Engjëll Bërbatovci, i cili përvojën tashmë disavjeçare në media, do ta shkrijë në Radio KFOR, ku do t’i bashkohet rrugëtimit të kolegëve të etnive të ndryshme, për të qenë zëra të e paqes, tolerancës dhe paanshmërisë.
Duke pasur për mision shpërndarjen e paqes në çdo cep të Kosovës dhe kudo në botë që e dëgjojnë Radio KFOR-in, duke gërshetuar virtytet e përbashkëta, si integriteti, përkushtimi dhe aftësia e veçuar për paqe, stafi i Radio KFOR-it së bashku me Engjëll Bërbatovcin, do të jenë shoqërues të dëgjuesve tanë në rrugëtimet e tyre, në zyrë derisa janë duke punuar, duke zhvilluar aktivitete të ndryshme apo duke na dëgjuar në shtëpi.
Radio KFOR-i krahëhapur i uron Engjëll Bërbatovcit mirëseardhje, sepse ne e dimë që kolegu profesional, është një pasqyrë e njeriut që ndihmon në suksesin e përbashkët të misionit paqësor, që ne e përcjellim përmes valëve tona.