Qëndrim në telefon gjatë ngasjes, mosrespektim i rregullave të komunikacionit, mospërshtatja e shpejtësisë së mjetit me kushtet e rrugës dhe kushtet atmosferike, janë ndër arsyet kryesore që shkaktohen aksidentet, që vazhdojnë të jenë të shumta në numër në vendit tonë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Z. Daut Hoxha, përmes frekuencave të Radio KFOR-it, ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, që të kenë kujdes të shtuar: “Policia e Kosovës gjatë 24 orëve të kaluara ka evidentuar se janë shkaktuar gjithsej 47 aksidente në trafikun rrugor, prej tyre 13 aksidente kanë qenë me lëndime trupore. Policia me zyrtarët e saj janë duke kryer aktivitete operacionale në terren, me qëllim që të parandalohen aksidentet rrugore, por edhe janë duke ndërmarr masa ndëshkuese ndaj atyre personave që nuk respektojnë rregullat dhe shenjat në trafik. Gjate 24 orëve janë shqiptuar gjithsej 2.237 tiketa për kundërvajtje të ndryshme trafiku.”
Z. Hoxha, gjithashtu bëri apel tek të gjithë shoferët, por edhe pjesëmarrësit tjerë në trafik, që të jenë të kujdesshëm dhe gjatë pjesëmarrjes në rrugë të respektojnë dispozitat ligjore që burojnë nga ligji mbi trafikun rrugor, në mënyrë që secili të kontribuon në zvogëlimin e statistikave të aksidenteve rrugore e në veçanti në parandalimin e aksidenteve që shpesh po përfundojnë me pasoja të rënda dhe humbje të jetëve njerëzore.