Në mbarë botën, sot shënohet “Dita Botërore e Astmës”, e cila është një ngjarje vjetore që organizohet të martën e parë të muajit maj, nga Iniciativa Globale për Astmën në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, për të përmirësuar vetëdijen dhe kujdesin për astmën në të gjithë botën.
Që të kemi një përgjigje profesionale rreth sëmundjes së astmës, Radio KFOR-i kontaktoi, specialistin e pulmologjisë, i cili merret me trajtimin dhe diagnostikimin e sëmundjeve të mushkërive dhe të frymëmarrjes, Dr. Besim Morina, i cili shpjegoi: “Mund të jenë dy shkaktar të astmës: shkaktari alergjik ose alergjitë e ndryshme si dhe shkaktarët e tjerë jo alergjik. Në rastet kur ne kemi astmë me bazë alergjike, atëherë gjithmonë duhet ta gjejmë shkakun. Në momentin që ne e gjejmë shkakun, përmes testeve, atëherë ne iu rekomandojmë pacientëve që të largohen nga ata ngacmues. Në rastin tjetër, është kur astma nuk ka për bazë alergjinë, por mund të jetë e lindur, pastaj janë infeksionet virale, ekspozimi në gazra dhe tymra të ndryshme, substanca të ndryshme të cilat e dëmtojnë sistemin respirator. Në secilën prej këtyre rasteve ne duhet ta gjejmë shkakun e astmës, dhe pastaj të bëjmë një plan në trajtimin e saj. Është me rëndësi të dihet që pirja e duhanit përkeqëson funksionin e mushkërive dhe përkeqëson sëmundjen e astmës.”
Tema e këtij viti, për të shënuar “Ditën Botërore të Astmës” është “Mbyllja e boshllëqeve është kujdes ndaj astmës”.