“Të përkthesh, do të thotë të udhëtosh nëpër një vend të huaj” dhe njohja e kulturave të ndryshme, që mund të njohim derisa mësojmë gjuhë të huaja, është privilegj e aftësi për t’u shprehur dhe për t’u lidhur me botën, diçka që është kaq thelbësore për shoqërinë dhe mirëqenien. Duke njohur rëndësinë e madhe dhe duke çmuar profesionin e përkthyesve, data e sotme, 30 shtator, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit”.
Kjo ditë, nderon punën e profesionistëve të gjuhëve, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në bashkimin e kombeve, lehtësimin e bashkëbisedimeve, sjellin bashkëpunime, duke kontribuar kështu edhe në zhvillimin dhe forcimin e paqes botërore. ‘Dita Ndërkombëtare e Përkthimit’ shënohet që nga viti 1991 dhe çdo vit, caktohet një temë e veçantë.
“Përkthimi zbulon fytyrat e shumta të humanizmit” (Translation unveils the many faces of humanity), është kjo tema nën të cilën festohet “Dita Ndërkombëtare e Përkthimit”.