Sot, më 30 shtator, bota audio-vizuele feston ‘Ditën Ndërkombëtare të Podkast-it’, për të njohur dhe vlerësuar rritjen e jashtëzakonshme të kësaj forme të komunikimit, që ka pushtuar botën e media-s. Me mijëra podkaste që shfaqen çdo ditë, kjo ditë përkujton ndikimin dhe diversitetin e zërave që po kalojnë në veshët e audiencës në mbarë botën.
Podkastet janë bërë një burim i çmuar i informacionit dhe argëtimit për njerëzit, teksa ofrojnë një platformë të lirë për moderatorët, ku ata mund të ndajnë histori, ekspertizë, humor dhe mendime të ndryshme me të gjithë.
Për herë të parë “Dita Ndërkombëtare e Podkast-it”, u festua në vitin 2014 dhe që nga atëherë, janë diku rreth 3.5 milion podkaste, me 160 milion episode të ndryshme. Nga podkastet edukative dhe informative e deri te ato që zbavitin dhe frymëzojnë, një formë kjo komunikimi është bërë një mjet i fuqishëm për të arritur dhe ndikuar direkt tek audienca.







