Duke kujtuar rolin e Radios, si mjet i fuqishëm informimi që promovon dialog, tolerancë dhe paqe në mbarë botën dhe na kënaq të gjithëve me muzikë, Shtetet Anëtare të UNESCO-s në miratim me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në vitin 2011, shpallën 13-të shkurtin si ‘Ditë Ndërkombëtare të Radios’.
Pikërisht për këtë ditë, Radio KFOR-i kontaktoi gazetaren e Radio Kosovës, Vjosa Begolli e cila u shpreh: “Radio është dhe do të mbetet një nga mediumet më të pëlqyera edhe për mua, sepse falë saj zëri ynë depërton tek secili person, kudo që është në punë, në shtëpi, në rrugë apo kudo tjetër. Në këtë ditë dua që të gjithë kolegëve, gazetarëve dhe teknikëve t’ua uroj këtë ditë, sepse me punën e tyre profesionale Radios nuk do i humbas vlera asnjëherë”.
Në botën e zhvillimeve moderne të teknologjisë informative, edhe radio si medium është duke ndryshuar në hap me mediumet e tjera informative, në shpërndarjen e lajmeve dhe të informacionit.
Sipas raporteve të ndryshme ndërkombëtare, Radio vazhdon edhe më tutje të jetë një nga mediat më të besuara dhe më të përdorura në botë.
Motoja e sivjetme e shënimit të kësaj dite është “Radio dhe Besimi”.