Këtë javë, aplikacioni Signal ka gëzuar përdoruesit me funksionin e ri që po e sjell për përdoruesit e tyre. Zyrtarë të Signal, kanë njoftuar se kanë filluar me lansimit e opsionit i cili i lejon që përdoruesit të ndërrojnë numrin e telefonit në llogarinë e tyre, mirëpo pa humbur bisedat, grupet dhe mesazhet ekzistuese në aplikacionin e komunikimit të sigurt. E gjitha që duhet të bëni, është që të shkoni në opsionin “Change Phone Number”, në konfigurimin e llogarisë së Signal, ku ju kërkohet të vendosni të dy numrat e telefonit.
Edhe kompania që ka 1.8 miliardë pajisje aktive, po sjell risi. Është fjala për Apple, e cila do t’i lejojë blerësit dhe shitësit të paguajnë duke afruar telefonat së bashku. Po flasim për një opsion pagese i cili do t’i lejojë bizneset të përdorin iPhone, për të përpunuar transaksionet në dyqane, pa ndonjë pajisje shtesë. Funksioni i ri “Tap to Pay”, do t’i lejojë tregtarët amerikanë të pranojnë pagesa thjesht duke mbajtur iPhone ose Apple Watch të klientit të tyre pranë iPhone.
Në anën tjetër, TikTok sërish është kthyer në qendër të vëmendjes, për të dhënat e përdoruesve. Sipas një studimi të fundit, të publikuar nga kompania e marketingut celular Genius, TikTok-u po gjurmon të dhënat personale të përdoruesve më shumë se çdo aplikacion tjetër i mediave sociale. Për gjurmim të të dhënave të përdoruesve, bashkë me TikTok, në këtë studim është akuzuar edhe YouTube. Studimi zbuloi se YouTube, kryesisht mbledh të dhënat tuaja personale për qëllimet e tyre, si gjurmimi i historisë suaj të kërkimit në internet apo edhe vendndodhjen tuaj, për t’ju shërbyer me reklama përkatëse. Por TikTok, kryesisht lejon gjurmuesit e palëve të treta të mbledhin të dhënat tuaja dhe prej andej, është e vështirë të thuhet se çfarë ndodh me to.