Mbrëmë (11.06.23) Prishtina 01 fitoi titullin kampion në Superligën e Kosovës në futsall, ku kryeqytetasit e fituan ndeshjen e tretë përballë Liqenit, për të fituar trofeun. Ata ia dolën ta fitonin sfidën e tretë me rezultat 4-1, për t’u kurorëzuar me titullin kampion, dhe kështu u bënë ekipi i tretë në histori të skuadrave të kryeqytetit që e fituan këtë titull, pas Bambo Prishtinës dhe Mabetex Prishtinës.
Vëmendja kryesore këtë javë padyshim është tek përfaqësuesja e Kosovës në futboll, ku Kosova me datë 16.06.2023 e pret në shtëpi Rumaninë, ndërsa me Bjellorusinë përballet ditën e hënë. Përfaqësuesja dardane po vazhdon me stërvitje edhe nën reshjet e shiut, të cilat kanë sjellë freski tek lojtarët. Përzgjedhësi Alain Giresse ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët, teksa së bashku me stafin e tij krahas ushtrimeve të zakonshme fizike dhe atyre me top, ka punuar në tranzicion të ekipit nga faza e mbrojtjes në atë të sulmit dhe anasjelltas.
Kampi i Alain Giresse janë në garë për kualifikim në Euro 2024, ndërsa rikujtojmë që dy ndeshjet e para të kualifikimeve i mbyllën me rezultat të barabartë.