Në fillim të shekullit të 20-të, pothuajse çdo shtëpi evropiane ose amerikane duhej ta kishte një piano dhe një anëtar të familjes që dinte të luante këtë instrument, pasi ajo ishte bërë simbol i ri i pozitës shoqërore. Ka instrumente për të cilat duhet të ushtrohesh shumë që të nxjerrësh qoftë edhe një tingull, por me pianon është krejtësisht ndryshe. Por, a e dini që ka një festë që i dedikohet pikërisht këtij instrumenti?!
‘Dita Botërore e Pianos’, e cila shënohet çdo vit më 29 mars, është themeluar për herë të parë në vitin 2015, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Kulturë dhe Shkencë (UNESCO), për të festuar kontributin e pianos në botën e muzikës dhe për të ndarë pasionin dhe dashurinë për këtë instrument. Piano është një nga instrumentet më të njohura dhe më të dashura në muzikë dhe është përdorur në të gjitha zhanret muzikore, që nga muzika klasike, jazz dhe rock.
Një marrëdhënie të ngushtë me pianon e ka edhe pianistja e njohur, znj. Suzana Jakupi, e cila sot ka një festë të veçantë, e që lidhet me pasionin që ajo ka për këtë instrument: “Unë vlerësoj secilin instrument, sepse një i tillë bën që të shohësh botën ndryshe. Unë zgjodha pianon. Aty kam botën time, botë ku çdo ndjesi zemre e shpirti mbështjellët e ndërlidhet nën tingujt e bukur të këtij instrumenti, e që përmes gishtash në tastierë, bën që të përçosh magjinë e muzikës”, tha për Radio KFOR-in, znj. Jakupi.
Piano, daton që nga mesjeta, ka një histori të pasur dhe tërheq vëmendjen e shumë njerëzve për talentin dhe virtuozitetin e pianistëve në të gjithë botën. Për t’u bërë një pianist i mirë, duhet të jesh i përkushtuar, i talentuar dhe i vendosur. Kjo ditë kryesisht festohet me koncerte, ekspozita dhe aktivitete të tjera.