Ndotja e hapësirave urbane, ndër urbane dhe rurale, tashmë është kthyer në një nga problemet kryesore të ndotjes, jo vetëm në Kosovë por edhe në botë. Për fat të mirë edhe në vendin tonë ka organizata të ndryshme, të cilat zhvillojnë aktivitete të me qëllim të pastrimit të mjedisit ku ne jetojmë dhe jo vetëm. Një nga këto organizata është edhe ‘Let’s Do it Kosova’, e cila mbetet shumë aktive, në organizimet për pastrimin e mjedisit. Në lidhje me këtë çështje, për Radio KFOR-in foli projekt menaxheri në organizatën mjedisore ’Let’s Do It Kosova’, z. Besnik Shabiu: “Po vazhdojmë me implementimin e projektit, që për qëllim kryesor e ka angazhimin e komuniteteve pakica. Janë vendosur kosha, janë pastruar hapësira për të kontribuar në ruajtjen e mjedisit jetësor, një projekt që është në fazën finale të implementimit, në 7 komuna të vendit. Së fundmi në ‘Ditën e Tokës’, kemi pasur një tjetër aktivitet të suksesshëm kurse po përgatitemi që në ‘Ditën e Pastrimit të Botës’ (17 shtator, 2022), të realizojmë një tjetër aktivitet të pastrimit, që e kemi shndërruar në një aktivitet tradicional.”
Mënyra më e mirë për parandalimin e ndotjes së ambientit, është që të mos hedhim mbeturina dhe materie të tjera kimike të dëmshme në natyrë, në ujëra apo aty ku nuk e kanë vendin, mirëpo aty ku duhet.