Çdo vit, që nga viti 1977, kudo në botë sot (18.05.22), shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Muzeut’, e cila përfaqëson një moment unik për komunitetin ndërkombëtar muzeor. Duke qenë se muzetë janë mjet i rëndësishëm i shkëmbimit kulturor, pasurimit të kulturave dhe zhvillimit të mirëkuptimit të ndërsjellë, bashkëpunimit dhe paqes midis popujve, kjo ditë mëton të rrisë ndërgjegjësimin në këtë aspekt.
Nga perspektiva e Kosovës, për rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-it iu përgjigj kuratori i Muzeut Etnologjik të Kosovës, z. Ilir Sopjani, i cili mes tjerash nënvizoi: “Dita Ndërkombëtare e Muzeve duhet të jetë një ditë që vetëdijeson të gjithë njerëzit e vendit tonë, që ti vizitojnë muzetë dhe të njihen më për së afërmi me të kaluarën, kulturën dhe historinë tonë. Njëherit edhe të kontribuojnë në pasurimin e tyre, duke mos harruar për asnjë moment edhe ruajtjen e tyre për gjeneratat që do të vijnë”, tha etnologu, z. Sopjani.
Që nga dita e parë e festimit të kësaj dite, gjithnjë e më shumë muze nga e mbarë bota marrin pjesë në shënimin e ‘Ditës Ndërkombëtare të Muzeut’. Kujtojmë se vitin e kaluar, më shumë se 37.000 muze, morën pjesë në këtë ngjarje, nga rreth 158 vende dhe territore të ndryshme të botës.