Me moton “F… Sexism”, nga dita e sotme (01.10.21), e deri më 06 tetor, në Prishtinë, mbahet edicioni i 9-të, i Festivalit ‘FemART’, ku artistë dhe aktivistë të shumtë mblidhen për të revolucionarizuar artin, për të transformuar status-quon dhe për ti shkatërruar normat e strukturat patriarkale.
Drejtoresha e këtij festivali, znj. Zana Hoxha, në një prononcim dhënë Radio KFOR-it, ofroi më shumë detaje në lidhje me përmbajtjen e këtij edicioni, ku mes tjerash nënvizoi: “Ne besojmë në barazi në mes njerëzve, njohim, pranojmë, çmojmë, festojmë dhe mbështesim dallimet. Këtë vit fuqia jonë krijuese është thirrur në veprim për të luftuar padrejtësitë në emër të dallimeve gjinore. Artistë/e dhe aktivistë/e, nga komunitetet lokale dhe ndërkombëtare do të mblidhen për të provokuar, frymëzuar dhe sfiduar në çdo mënyrë të mundshme realitetet aktuale seksiste. Nga shfaqjet, poezitë, vallëzimet, diskutimet dhe konferencat, deri në ndeja dhe rebelime, ne do të trajtojmë të drejtat e grave si të drejta të njeriut. Ju ftojmë të pranoni, të mendoni, të jeni, të ndjeheni, të krijoni dhe të përdorni aftësitë tuaja, në mënyrë që të rimarrim kohën dhe hapësirën tonë të merituar sipas kushteve tona’’, tha znj. Hoxha.
Përgatituni që këtë vit në FemART të shikoni shfaqje, ekspozita, kërcime, këngë, panele diskutimi e podkaste, përmes të cilave do të dekonstruktohet seksizmi në të gjitha format e tij.