Festivali i njohur i muzikës ‘Ngom Fest’, i cili mbahet nga data 14 deri më 17 korrik, nga ora 19:30, në qytetin e bukur të Prizrenit edhe këtë vit sjellë ritme nga DJ dhe muzikantë të njohur vendor e ndërkombëtar.
Për të ditur më shumë rreth performuesve dhe risive që sjellë ky edicion i festivalit, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me drejtorin e festivalit Ardian Kazazi:
“Këtë vit festivali nuk do të ketë skenën kryesore, por vetëm skenën mbi murin e kalasë në Prizren, pasiqë këtë vit kemi mungesë të fondeve. Festivali fillon me DJ Lilac, pastaj Dj Mal, Blerton Mehmeti, do të kemi një mysafir special nga Gjermania, Stefan Goldmann, dy DJ të njohura nga Maqedonia e Veriut, Diah dhe Katarina. Po ashtu, këtë vit do të kemi një bend nga Suedia ‘Damen’ dhe shumë artistë të tjerë vendorë e ndërkombëtar”.
‘Ngom Fest’ këtë vit shënon edicionin e 11-të dhe përgjatë gjithë këtyre viteve, në këtë festival, kanë performuar artistë të njohur nga rajoni dhe bota. Për këtë edicion, një biletë ditore kushton 7 euro.