Edhe sot kemi veçuar disa nga ngjarjet kulturore të cilat do të organizohen gjatë këtyre ditëve, në vendin tonë. Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, tashmë ka hapur dyert për edicionin e 20-të të veprimtarisë kulturore “Java e Bibliotekës në Kosovë” dhe do të zgjasë deri me 28 maj, të këtij viti.
Në muajt maj dhe qershor, Galeria Kombëtare do të ofroj guidat e ndërmjetësimit për ekspozitat “Strange Seed”, nga Fatmir Mustafa-Karllo dhe “Bliss (Misery is a Butterfly)”, nga Leart Rama. Ky projekt synon të përfshijë grupe të ndryshme shoqërore në një eksperiencë të re artistike, në Galerinë Kombëtare, përmes së cilës ndërmjetësuesit e angazhuar, do të ofrojnë një përvojë interaktive dhe bashkëpunuese rreth të kuptuarit të ekspozitave të hapura në Galeri. Të gjithë të interesuarit për formën e regjistrimit, informata shtesë mund të gjejnë në vegzën e mëposhtme:
https://forms.gle/ehWqmzi4yG4sg2QX6
Edhe Galeria Qahili, në bashkëpunim me agjencinë kreative Shigi Studio dhe konsulencën gjermane Work That Period, organizojnë festival 3 ditorë. Ky festival, synon të promovojë ndërgjegjësimin dhe edukimin për shëndetin menstrual, të sfidojë stigmatizimin dhe të nxjerrë në pah perspektivën dhe zërin e gruas në shoqëri. Festivali do të zhvillohet në tre ditë, nga data 27 maj deri më 29 maj 2023.