Çdo vit, më 2 tetor, shënohet ‘Dita Botërore Kundër Dhunës’, e cila mëton të përhap mesazhin e paqes në kërkim të një kulture të sigurt dhe paqësore. E krijuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2007, kjo ditë festohet në datën e lindjes së Mohandas Karamchand Gandhi-t, i cili njihet gjerësisht si një nga udhëheqësit më të mëdhenj politikë dhe shpirtërorë të shekullit të njëzetë.
Përgjatë viteve, shumë prej udhëheqësve apo politikanëve botëror, kanë përdorur metoda paqësore jo të dhunshme, për të përcjellë mesazhin e tyre dhe për të nxitur ndryshime, e disa nga këta njerëz përfshijnë: Martin Luther King, Jr., Dalai Lama, Gautama Buda, etj., mirëpo më i njohuri nga ta, që përdori metoda ndryshimi dhe jo të dhunshme, është Mahatma Gandhi. Në fakt, ky është njeriu i cili ndikoi në Kombet e Bashkuara, për të krijuar ‘Ditën Botërore Kundër Dhunës’.
Për të kremtuar këtë ditë, ne të gjithë duhet ti edukojmë brezat e rinj, rreth dëmeve të mëdha që kanë shkaktuar aktet e dhunshme gjatë historisë së njerëzimit dhe tu mësojmë atyre që të bëhen një dritë paqeje dhe shprese, kudo që të shkojnë.