Fondacioni ‘BONEVET’ organizon Finalën e Garës së Robotikës me datat 28 dhe 29 qershor të këtij viti, për të finalizuar punën e qindra nxënësve nga më shumë se 150 shkolla që do të garojnë në Garën e Robotikës Kosova Makers League. Ceremonia do të filloj nesër (27.06.19) në sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë, duke filluar nga ora 12:00.
Asistentja e projektit ‘Kosova Makers League’, në organizatën ‘BoneVet’ Tringa Kasneci, për Radio KFOR-in foli më shumë për këtë garë:
“Gara e Robotikës përfshin dy liga: shkollat fillore dhe të mesme; ku për shkollat fillore ne ju dhurojmë robot edukativ dhe pastaj nxënësit mësohen se si të programojnë robotin dhe të kryejnë misione të ndërlikuara. Ndërsa, nxënësit e shkollave të mesme punojnë me paisje të tjera ‘Arduino Kit’, bashkangjitur ‘Arduino Sensor Kit’ kështu duke krijuar një projekt i cili ndihmon pastaj edhe komunitetin. Ditën e parë të garës do të marrin pjesë shkollat e mesme ku nxënësit do të prezantojnë 17 prezantime dhe projekte të nxënësve nga Prishtina, Gjakova, Mitrovica, Peja e vende të tjera. Ndërsa, të shtunën në finalen e madhe do të jenë të jenë rreth 500 pjesëmarrës ku nxënësit do ta programojnë robotin dhe do të demostrojnë para vlerësuesve, ku juria do të vlerësoj 3 projektet më të mira. Pastaj fituesit do të kenë mundësi të marrin pjesë na garat rajonale të robotit arsimor, që do të mbahen në Zagreb, e më pas ata do kenë mundësi që të marrin pjesë edhe në gara ndërkombëtare që do të mbahen në Shangai, në Kinë.”
Znj. Tringa për fund tha se qëllimi kryesor i këtij projekti është që të stimulojnë sa më shumë nxënës të merren me teknologji dhe shkencë dhe ideja është që të arrihet që ky program të futet edhe si pjesë e planprogramit në shkollat fillore dhe të mesme.