Nga data 25 e deri më 30 shtator, në Prishtinë do të organizohet edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve, FemArt. Ky festival unik, i cili ka për qëllim fuqizimin e grave përmes artit dhe aktivizmit, do të shpalosë një program të pasur me aktivitete kulturore dhe sociale.
Tema kryesore e këtij edicioni është “Motërzimi: n’Kohë Lufte dhe Paqe”, që vë në fokus rolin e grave dhe lidhjet e tyre të pathyeshme përmes artit, solidaritetit dhe ndërtimit të paqes. Festivali sjell një përzierje të shumëllojshme të zhanreve artistike, duke përfshirë shfaqje teatrore, performanca muzikore, ekspozita të artit, dokumentarë, filma të shkurtër si dhe një sërë punëtorish dhe diskutimesh që sfidojnë stereotipet dhe promovojnë diversitetin dhe të drejtat e grave.
Përurimi i festivalit do të bëhet më 25 shtator, me një performancë madhështore nga Barcelona Flamenco Ballet, e cila do të interpretojë shfaqjen “Carmen” në skenën e Klan Arena. Kjo shfaqje pritet të tërheqë vëmendje të madhe nga publiku, pasi sjell një interpretim të fuqishëm të një prej veprave më ikonike të flamengos spanjolle.
Në ditët në vijim, FemArt do të përfshijë një mori ngjarjesh të tjera interesante. Do të ketë koncerte, ku artistë vendorë dhe ndërkombëtarë do të bashkohen për të festuar frymën e krijimtarisë dhe fuqizimin e gruas. Një pjesë tjetër e rëndësishme e festivalit do të jenë edhe ekspozitat e artit vizual dhe filmave dokumentarë, të cilat do të eksplorojnë përvojat e grave në kohë lufte dhe paqe.
Përmes fotove më poshtë lajmit, mund të njiheni me plan programin e festivalit FemArt:













