Nesër është e premtja e fundit e muajit nëntor dhe në pothuajse gjithë botën, është dita në të cilën njerëzit shpenzojnë më së shumti të holla, krahasuar me gjithë vitin. E njohur ndryshe si ‘Black Friday’ (E premtja e zezë), që shënon ditën e blerjeve masive, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me zbritje të shumta në pothuajse të gjitha dyqanet dhe me njerëz të cilët presin me orë të tëra, madje edhe me ditë e netë, për të përfituar nga ofertat apo zbritjet e kësaj dite. Oferta me çmime të përgjysmuara po bëhen viteve të fundit edhe në vendin tonë, kështu që nesër (25.11.22), nëse nuk dilni për blerje nëpër dyqane, atëherë ju preferohet që të mos dilni me veturë, në mënyrë që ti ikni trafikut të dendur.
E premtja e zezë, daton nga viti 1869, në ditën kur rënia e çmimeve të arit shkaktoi përplasje tregu, efektet e të cilit u ndjenë nga ekonomia amerikane për vite me radhë. ‘Black Friday’ është përdorur për herë të parë nga policia e Filadelfias, pasi pikërisht në ditën e premte, policia ishte e irrituar me bllokimin e trafikut, të shkaktuar nga blerësit, një ditë pas ‘Ditës së Falënderimeve’.
Vetëm vitin e kaluar (2021), njerëzit kanë shpenzuar rreth 8.9 miliardë dollarë, në blerje online dhe nëpër dyqane vetëm gjatë ‘Black Friday’. Kjo ditë është një mundësi e mirë për të përfituar nga zbritjet që bëhen, por edhe duhet të tregoheni të kujdesshëm, meqë kompani të ndryshme edhe mund të shfrytëzojnë këtë ditë për mashtrime të mëdha, gjoja për zbritje çmimesh në produkte të ndryshme.