Shoqëria jonë do të ishte e mangët pa kontributin e pashoq të grave, të cilat përgjatë historisë kanë dhënë shumë në fusha të ndryshme, si në sport, art, kulturë, shkencë dhe në çdo fushë të jetës, duke qenë në të njëjtën kohë, nëna dhe gra të përkushtuara edhe për familjen.
Përderisa në përditshmëri dëgjojmë emra si Dua Lipa, Rita Ora dhe Bebe Rexha, që po vazhdojnë të jenë aktive në skenat botërore të muzikës, gratë tona po vazhdojnë të japin kontributin e tyre edhe në sfera të tjera të jetës. Kampionia, Majlinda Kelmendi kishte arritur që në një moshë shumë të re të fitoj titullin ‘Xhudistja më e mirë në botë’, në të gjitha kategoritë nga presidenti i FNXH, Marius Vizer dhe lirisht mund të themi se kontributi i saj, ndikoi që shumë vajzave të tjera në Kosovë, të ju hapet rruga në shfaqjen e talenteve të tyre në sport.
Sopranoja e njohur kosovare, Besa Llugiqi gjithashtu pushtoi skenat e mëdha botërore, me zërin dhe performancat e saja operistike. Së fundmi ajo ishte në rolin më të kërkuar të letërsisë operistike, në një nga operat më të mëdha në botë “Faust”, e Gounodit. Sopranoja Llugiqi, hapi rrugë për shumë vajza ta reja që aspironin skenat ndërkombëtare të operës dhe muzikës klasike në përgjithësi.
Në fushën e mjekësisë kemi shumë gra të zonjat, të cilat për çdo ditë japin kontributin e tyre, duke i hapur rrugë edhe gjeneratave të reja. Kjo është një listë e gjatë e grave të suksesshme shqiptare, por në këtë artikull do t’përmendim edhe një emër tjetër, që ka bërë bujë në kirurgjinë plastike. Është kjo znj. Violeta Zatriqi, ndër gratë e para që filloi operacionet estetike, para 20 viteve në Kosovë, çka e shoqëroi edhe me shumë sfida.
Meqë në mjekësi kemi shumë gra të zonja, në këtë listë po e përfshijmë edhe një grua të suksesshme, që vitin e kaluar u nderua më çmimin ‘Shkencëtare e vitit’. Është kjo znj. Ibadete Bytyçi, doktoreshë e shkencave mjekësore, kardiologe dhe anëtare e shumë shoqatave të kardiologjisë ndërkombëtare. Karriera e saj përafërsisht përmblidhet me 44 punime shkencore dhe 17 punime si autore e parë. Znj. Bytyçi, ka katër libra të botuara, tre udhërrëfyes vendor dhe një ndërkombëtar e gjithashtu ka edhe tetë mirënjohje në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, për arritje profesionale shkencore.
Gratë mund të ia dalin në çdo fushë, kjo më së miri përshkruhet edhe me sukseset që ato arrijnë çdo ditë. Atletja, Gentiana Beqa së fundmi është shpallur “Kampione e Mesdheut”. Ajo rrëmbeu dy medalje ari, brenda një dite, në dy disiplina “Woman’s Wellness Open” dhe “Master Woman’s Wellness 35 years Over”.
Me pak fjalë, gruaja është forca krijuese e universit në pothuajse të gjitha shprehjet e tij dhe jo rastësisht e përdorim shprehjen ‘Pas çdo burri të suksesshëm qëndron një grua, një nënë, një vajzë, një mike ose ndoshta një motër’.