Sot (16.05.23), shënohet “Dita Ndërkombëtare e të Jetuarit së Bashku në Paqe”, e cila mëton të promovoj paqen, tolerancën dhe solidaritetin midis kulturave, feve dhe grupeve të ndryshme etnike. Ishte Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e cila në vitin 2017, vendosi që data 16 maj të shënojë “Ditën Ndërkombëtare e të Jetuarit së Bashku në Paqe”.
Shënimi i kësaj dite, është një thirrje për individët, komunitetet dhe qeveritë që të punojnë drejt një bote më paqësore dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë.
Për të shënuar këtë ditë të rëndësishme, Radio KFOR-i kontaktoi disa dëgjues të cilët dhanë mendimet e tyre për paqen: “Unë jam, Gafurr Ramadani. Të gjithë duhet të mendojmë e të punojmë për paqen, tolerancën dhe respektin e njëri tjetrit. Pra mirëkuptimi është mbi çdo gjë.”
Të njëjtin mendim e kishte edhe dëgjuesja tjetër, znj. Aleksandra Lekic: “Jeta në një mjedis shumetnik na krijon shumë mundësi të mira, le t’i shfrytëzojmë ato dhe të ndërtojmë një të nesërme më të mirë.”
“Dita Ndërkombëtare e të Jetuarit së Bashku në Paqe” inkurajon të gjithë njerëzit, që të jetojnë së bashku në harmoni dhe të respektojnë dallimet e njëri-tjetrit!