Komuna e Prishtinës ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Ambasadoren e Vullnetit të Mirë, znj. Elvana Shala, për fushatën 30 ditore ‘Prishtina një qytet pa barriera’. Ky projekt i rëndësishëm pritet ti mundësojë qasje më të lehtë infrastrukturore, personave me aftësi të kufizuar.
Rreth rëndësisë së këtij projekti, Radio KFOR-i zhvilloi një bisedë me ambasadoren e vullnetit të mirë, znj. Elvana Shala: “Bashkëpunimi i fundit me Komunën e Prishtinës, ka të bëjë me nisjen e fushatës 30 ditore “Prishtina një qytet pa barriera”, e cila është një iniciativë me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës së kryeqytetit dhe mundësimin e qasjes më të lehtë të personave me aftësi të kufizuara, personave të moshuar dhe kategorive të tjera me vështirësi të ndryshme në lëvizje, në hapësirat e ndryshme të qytetit dhe në objekte të ndryshme institucionale publike. Ndër të tjera, ky memorandum është pikënisje edhe e jetësimit të zotimeve dhe rekomandimeve të dhëna në Kongresin botëror të Personave me Aftësi të Kufizuara 2022, të mbajtur nën patronatin tim, në dhjetor të vitit të kaluar.”
Ndër të tjera znj. Shala, tregoi se fushata do të zhvillohet në dy faza dhe përfshinë identifikimin e institucioneve publike dhe private, të cilat nuk plotësojnë kriterin e qasjes për personat me vështirësi në lëvizje, duke vendosur pjerrinat e nevojshme dhe mbajtëse të shkallëve.
Po ashtu ajo theksoi se personat me nevoja të veçanta ende përballen me vështirësi të ndryshme dhe të shumta në Kosovë. E para fillon nga paragjykimet e shumta që kanë duke ua pamundësuar kështu përfshirjen e plotë në shoqëri, pastaj përballen me mundësitë e vogla për shkollim dhe qasje në punë, kjo si shkak edhe i infrastrukturës jo adekuate.