Nga data 5 deri më 8 nëntor, në Prishtinë do të mbahet edicioni i 23-të i festivalit muzikor ‘ReMusica’. Me temën “Togetherness – Së Bashku”, festivali “ReMusica” edhe këtë vit pritet të na sjell një program të larmishëm katër ditor, që përqendrohet në muzikën klasike dhe bashkëkohore, edukimin dhe shkëmbimin kulturor.
Ky festival promovon gjithëpërfshirjen dhe shumëllojshmërinë, duke bashkuar artistë lokalë dhe ndërkombëtarë për performanca, panele diskutimi dhe mundësi rrjetëzimi.
Mysafirët ndërkombëtarë, përfshirë udhëheqës festivalesh dhe anëtarë të medias, do të kenë mundësinë të eksplorojnë skenën artistike vendase dhe do kenë privilegjin të përjetojnë festivalin në mënyrë unike, të eksplorojnë komunitetin artistik vendas dhe të hapin rrugë për mundësi dhe bashkëpunime në të ardhmen.
Edicioni i 23-të me mbi 200 pjesëmarrës nga Kosova, Belgjika, Franca, Portugalia, Austria, Gjermania, Spanja, Italia dhe nga e gjithë Evropa, do t’ofrojë një program të gjerë, që përfshin edhe koncerte, punëtori, diskutime mbi praktikat mjedisore dhe edukative si dhe aktivitete për artistët e rinj dhe fëmijët.