Ndryshimet klimatike globale kanë krijuar situata sfiduese në shumë vende të botës. Këto ndryshime kanë prekur edhe Kosovën, që është përballur me mungesë të reshjeve të shiut dhe borës, duke bërë që nivelet e liqeneve në Kosovë të bien dukshëm. Ujësjellësi rajonal ‘Prishtina’ vazhdimisht ka apeluar për shfrytëzim të arsyeshëm të resurseve të ujit përmes fushatave të shumta vetëdijësuese për qytetarët. Së fundmi ky ujësjellës ka lansuar fushatën ‘Kurseni ujin e pijshëm’, që përfshin mesazhe dhe apel për ruajtjen dhe rëndësinë e madhe të ujit në jetën tonë.
Radio KFOR-i ka kontaktuar kryeshefin e ‘Kompanisë rajonale të ujësjellësit ‘Prishtina’, Ilir Abdullahu, i cili tregoi rreth situatës aktuale me furnizim me ujë duke apeluar për të ruajtur resurset ujore jetike për të gjithë dhe për brezat e ardhshme: “Ne jemi duke mbajtur furnizimin me ujë pa ndërprerje por gjithmonë me lutje për konsumatorët të vetëdijësohen që ujin e pijes, ta ruajnë sa më shumë që mundemi për arsye se këto ndryshime, këto thatësira mund të vazhdojnë dhe mund të na sjellin situatë të paparashikueshme. Edhe Kosova është pjesë e sfidave, pjesë e streseve që mund të vijnë si rezultat i ndryshimeve klimatike dhe duhet të gjithë të organizohemi dhe mobilizohemi dhe ta menxhojmë këtë resurs në vitet që do të vijnë.”
Z. Ilir tha gjithashtu se niveli i liqenit të Badovcit dhe Batllavës ka rënë në -10/6 metra nga kuota maksimale, duke treguar se nga ndryshimet klimatike më së shumti janë prekur pjesa qendrore dhe lindore e Kosovës.