Peshkatarë të komunitetit shqiptar dhe atij serb në Kosovë kanë filluar të shqetësohen nga rënia e nivelit të ujit në lumenjtë dhe liqenet e Kosovës, meqë një gjë e tillë ndikon negativisht edhe në rritjen e peshkut dhe kultivimin e tij. Për tu njohur më për së afërmi me situatën në terren, Radio KFOR-i zhvilloi disa intervista me peshkatarë, me Federatën e Peshkatarëve të Kosovës si dhe me menaxherin e Hotel “Trofta” në Istog. “Unë jam Naim Shala dhe në peshkim dal më tepër se 40 vite dhe i kam vizituar kryesisht të gjitha ujërat e Kosovës. Niveli i ujit të liqeneve të Badovcit dhe Batllavës është në gjendje kritike dhe jashtëzakonisht keq dhe ne si qytetarë duhet të vetëdijësohemi që të kursejmë ujin, sepse uji është jetë dhe ne kemi shumë pak ujë dhe ata ujë që e kemi është i fabrikuar dhe duhet të respektojmë këtë gjë dhe të mos e shpenzojmë ujin për gjëra të panevojshme, por vetëm për gjëra të nevojshme, që të kemi edhe më tutje, që edhe gjeneratat tjera të kënaqen me ujin dhe ato vlera që i kemi.”
Një tjetër peshkatar nga Skulaneva e Lipjanit, Bojan Cirkovic, për Radio KFOR-in tha: “Pa liqene dhe lumenj të ruajtur, peshkimi nuk do të ishte i mundur, kjo është arsyeja pse peshkimi është një shqetësim shumë i rëndësishëm për mjedisin. Fatkeqësisht, jo të gjithë janë të shqetësuar për peshkimin, kështu që shpesh në ujë mund të shohim shishe plastike qese ose të gjitha mbeturinat që vizitorët i lënë pas. Ne duhet të kujdesemi më shumë për mjedisin, për bimët, ujin dhe kafshët, pasi që gjithçka mund të mirëmbahet dhe ky është në fund të fundit ujë i pijshëm.”
Se rënia e nivelit të ujit është në nivel shqetësues e thotë edhe Kryetari i Federatës së Peshkatarëve të Kosovës, Bashkim Krasniqi, i cili ka një apel për të gjithë qytetarët:“Batllava dhe Badovci kanë qenë shumë të pasur me ujëra dhe peshqi të të gjitha llojeve, si për shembull, krapi, siluri, shtuka e të gjitha llojet e peshkut. Këtu e kemi një problem, pasi me rënien e nivelit të ujit, peshku fillon të tërhiqet në thellësi më të thella, sidomos rreth branave, aty ku edhe rrezikohet nga rrjetat nga persona të papërgjegjshëm, të cilët e shfrytëzojnë rënien e nivelit të ujit. Ne kemi apeluar gjithnjë dhe apelojmë tek të gjithë qytetarët që të kenë kujdes, që të mos e dëmtojnë faunën, sidomos peshkun, sepse në këtë kohë është shumë i rrezikuar, në çdo lum dhe liqen, niveli i ujit ka rënë aq sa nuk mbahet mend deri më tani.”
A do të jetë ky vit i mirë për kultivimin e peshkut në territorin e Kosovës, për Radio KFOR-in foli edhe menaxheri i Hotel “Trofta” në Istog, Agron Hasani: “Sa i përket prodhimit tonë që është trofta, që kultivohet nga vezët deri në rritjen për treg apo konsum që e kemi në tërë territorin e Kosovës dhe jashtë vendit, po ashtu edhe në restorantin tonë, uji është gjëja kyçe në këtë drejtim. Me mungesë të ujit, kemi shumë telashe në rritjen dhe kultivimin e tyre. Në momentin që nuk kemi ujë të mjaftueshëm, mundet me u paraqit problemi, ndoshta jo këtë vit, por vitin tjetër për kapacitetin e prodhimit, sepse trofta si troftë pa ujë e ka shumë telashe me u zhvillu. Ky vit ka fillu shumë keq sa i përket furnizimit, mungesa e reshjeve dhe borës veçse po dihet. Domethënë nëse nuk fillojnë reshjet këtë muaj, atëherë ka me qenë shumë telashe. Këtu tek ne, furnizohen komunitetet, se ne s’i këqyrim tash si komunitet, se kanë kaluar ato gjëra, të gjithë qytetarët e komunitetit serb, apo komuniteteve tjera,për ne nuk ka asnjë dallim. Marrin, bëjnë porosi, e ne i dërgojmë në qytete tjera, si p. sh. në Graçanicë. S’është ndonjë telashe…Unë kisha dashtë me thanë me ruajt ujin sa më shumë, me i ruajt liqenet sa më shumë, për të mirën e të gjithëve.”
Uji është pasuria më e madhe natyrore që kemi, andaj ta ruajmë atë të gjithë së bashku.