Zhvillimet e vazhdueshme teknologjike dhe shfaqja e përmbajtjeve sa më atraktive ka bërë që fëmijët e moshave të ndryshme, në këtë epokë, të mos i rezistojnë televizorit dhe të kalojnë orë të tëra pranë tij. Kjo dukuri akoma më e theksuar ka qenë gjatë kohës së ‘CoViD-19’, për shkak të masave të izolimit, të cilat janë ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e pandemisë.
Psikologia, Doruntina Grulaj, në një intervistë dhënë Radio KFOR-it, ka përmendur disa nga ndikimet pozitive dhe negative që ka shikimi i televizorit tek fëmijët: “Shikimi i televizorit dëmton ekuilibrin psiko-fizik të fëmijëve, fjalorin dhe aftësitë e tyre. Konstatohet se në moshat 2 deri në 5 vjeç, zhvillimi i fëmijëve është shumë i rëndësishëm, po aq sa edhe zhvillimi i trurit të tyre. Ata kanë nevojë më shumë për komunikim aktiv, për lojëra të ndryshme që u sjellin zhvillim të shëndetshëm psikologjik, fizik dhe emocional. Të qenurit pasiv, u sjell dëm në zhvillimin e tyre. Shikimi i televizorit për fëmijët, duhet të shërbejë për t’u qetësuar me ndonjë film vizatimor kur lodhen me aktivitete tjera apo kur zgjohen në mëngjes, por jo për një kohë më të gjatë.”
Psikologia Grulaj, pati edhe një porosi për të gjithë prindërit: “Zakonisht kemi pa se si prindërit i ulin fëmijët para televizorit me arsyetimin se mos bëjnë zhurmë. Kjo gjë nuk duhet praktikuar, sepse fëmijëve u duhet shoqërimi me të tjerët, kështu që prindërit duhet dedikuar më shumë kohë fëmijëve të tyre. Fëmijëve duhet t’u caktohet orari i përdorimit të mjeteve teknologjike.”