Revista “For You”, që nga data 10 gusht 2020, ka hapur konkursin shpërblyes për esenë më të mirë, ku janë inkurajuar që të marrin pjesë të rinjtë e të gjitha komuniteteve në Kosovë, të moshave nga 14 deri në 18 vjeç. Konkursi për esenë më të mirë, me temën “Le Të Mendojmë Për Shoqërinë!”, do të mbyllet me datën 10 shtator, ndërsa në përfundim të kësaj gare, tre nga esetë më të mira, do të shpërblehen me nga një tablet. Menaxherja e revistës “For You”, Leornora Shabanaj Niksic, përmes Radio KFOR-it bënë thirrje tek të gjithë ata që duan të jenë pjesëmarrës në këtë konkurs, që t’u përmbahen kritereve të pjesëmarrjes: “Ka mbetur vetëm edhe një javë deri në përfundimin e konkursit letrar “Le Të Mendojmë Për Shoqërinë!”. Ne nga redaksia e Revistës ‘For You’, i falënderojmë të gjithë ata që i kanë dorëzuar punimet e tyre për këtë konkurs. Mirëpo, me keqardhje ne duhet të theksojmë se një pjesë e mirë e pjesëmarrësve të deritanishëm në konkursin tonë, nuk i kanë plotësuar të gjitha kriteret e pjesëmarrjes.”
Pasi na kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri te mbyllja e konkursit, mos hezitoni, ndani kohën tuaj për t’u relaksuar, për të menduar dhe për t’i paraqitur me shkrim mendimet e juaja mbi miqësinë dhe jepni vetes mundësinë për të fituar një nga çmimet e vlefshme, të cilat i dhuron revista “For You”.
Pasi ta keni shkruar esenë, shkoni në faqen e revistës “For You”, në adresën https://magazineforyou.com/1/competition/ dhe dorëzoni punimin tuaj, aty do ti gjeni edhe informacionet tjera shtesë rreth kësaj gare.
Ekipi i Revistës “For You”, shpreh mirënjohje për pjesëmarrjen tuaj në këtë garë për esenë më të mirë dhe ju uron suksese…