Dukë njohur rëndësinë jetësore që ka shkrim-leximi, data e sotme 8 shtator, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Shkrim-Leximit”, ditë kjo në të cilën theksohet rëndësia e ndërgjegjësimit dhe veprimeve për luftimin e analfabetizmit në nivel global.
“Promovimi i shkrim-leximit për një botë në tranzicion: Ndërtimi i themeleve për shoqëri të qëndrueshme dhe paqësore”, është tema që e ka vendosur sivjet (2023) UNESCO, për shënimin e kësaj dite.
Derisa edukimi është thelbësor për zhvillimin individëve dhe shoqërive, analfabetizmi është prezent në botë dhe ndër faktorët që ndikojnë në zhvillimin e tij janë: varfëria, mungesa e burimeve të arsimit, konfliktet dhe çështjet kulturore. Mungesa e aftësive të leximit dhe shkrimit vështirësojnë qasjen në informacione, punë dhe zhvillim personal. Ky problem ndikon në të gjitha sferat e jetës, duke përfshirë shëndetësinë, ekonominë, etj.
“Pavarësisht progresit të qëndrueshëm të bërë në të gjithë botën, sfidat e shkrim-leximit vazhdojnë tek të paktën 763 milionë të rinj dhe të rritur, që u mungojnë aftësitë bazë të shkrim-leximit në vitin 2020”, thotë kështu raporti i fundit i UNESCO-s, duke faktuar gjithashtu se në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare, përqindja e fëmijëve 10-vjeçarë që nuk mund të lexonin dhe kuptonin një tekst të thjeshtë, është rritur nga 57 përqind nga viti 2019, në rreth 70 përqind, vitin e kaluar 2022.