Emancipimi i gruas, ndihmon në barazimin e plotë të të drejtave dhe mundësive të grave në të gjitha sferat e jetës dhe përforcon pavarësinë e tyre.
Për të theksuar rëndësinë e emancipimit të gruas në Kosovë, Radio KFOR-i morri një prononcim nga aktivistja e mirënjohur, e cila njihet edhe si një shembull i mirë për të gjitha gratë, znj. Arta Ibishi – Çitaku, e cila në lidhje me këtë temë, tha: “Emancipimi është baza e çdo fushe dhe mënyrës së drejtë të edukimit shoqëror. Për momentin jam duke e lexuar librin e autores Sanije Gashi, e cila ka përmbledhur të dhëna për zonjat e forta, të cilat kanë ndikuar në shumë dimensione të emancipimit të gruas, nëpër etapa të ndryshme kohore. Me ju, do e ndaj edhe një thënie që e kam lexuar të Margaret Thatcher, ku thuhet “Nëse dëshironi dikë që të bëjë punën, thërrisni një grua, nëse dëshironi dikë të marrë meritat, thërrisni një burrë”.
Emancipimi i gruas, në gjithë globin, filloi si lëvizje sociale në shekullin e 19-të, kur gratë filluan të rrëzojnë paragjykimet dhe diskriminimin shoqëror që i kufizonte në rolet tradicionale si kujdestares së familjes. Grupet feministe dhe aktivistet e shumta luajtën një rol kyç në promovimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, duke luftuar për të drejta e tyre, si: në votim, arsimim, pjesëmarrje në punë dhe marrëdhëniet familjare.