Të premten (30.08.19), me fillim nga ora 20:00, në hapësirat e organizatës ‘7 Arte’ në Mitrovicë, qytetarët janë të ftuar që ta ‘flladisin shpirtin me vargje e përjetime të poezive të ndryshme të poetëve lokal e atyre botëror’.
Drejtori Ekzekutiv i ‘7 Arte’, Lulzim Hoti në një prononcim për Radio KFOR-in ka ftuar të gjithë të rinjtë pa dallim etnie që të jenë pjesë e këtij aktiviteti:
“Qëllimi i këtij aktiviteti është që të promovojë dhe të mbajë gjallë frymën e letërsisë dhe të mbajë gjallë jetën aktive kulturore në qytet. Ky projekt është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian edhe në kuadër të këtij projekti synohet edhe fuqizimi i qendrës kulturore ‘7 Arte’, e njëherit përmes kësaj ne do të vazhdojmë me aktivitete të tjera ku qëllimi i përgjithshëm është që t’iu mundësojmë të rinjve, pa dallim përkatësie etnike apo fetare që të bëhen pjesë e jetës kulturore ne vend. Aktivitetet tona janë të hapura për të gjithë ashtu sikurse edhe ‘Nata poetike’ që është e hapur për të gjitha gjuhët dhe të gjithë të rinjtë mund të lexojnë poezi në gjuhën e tyre, pasi e mira e kulturës është gjetja e mirëkuptimit, pasi kultura i bashkon njerëzit në pika të përbashkëta”.
Ky aktivitet është mundësuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit ‘Hapësirat Kulturore të Kosovës’, të implementuar nga ‘Anibar’, ‘Lumbardhi’, ‘7Arte’ dhe ‘Pogon’.