Sot (30.04), në gjithë botën shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e muzikës Jazz’, për të vlerësuar rolin e kësaj muzike, e cila bashkon adhuruesit e këtij zhanri.
Edhe në Kosovë, viteve të fundit janë organizuar disa ngjarje dhe festivale që promovojnë muzikën jazz. Festivali ‘Prishtina Jazz Week’, tash e disa vite bën bashkë adhuruesit e këtij zhanri me artistë nga gjithë bota në Kosovë. Radio KFOR-i zhvilloi një bisedë me bateristin dhe organizatorin e festivalit ‘Prishtina Jazz Week’, Nesim Maxhuni, i cili tregoi se këtë vit nuk do të organizohet ky festival për shkak të masave anti-covid: “Këtë vit nuk kemi organizuar ‘Prishtina Jazz Week Festival’, për shkak të masave anti-covid, sepse ishte e vështirë të organizojmë një festival meqë mungonte përkrahja dhe nuk kishim siguri dhe vende të mëdha që do të mund të respektonim masat e pandemisë. Shpresoj shumë që vitin e ardhshëm do ta organizojmë sërish. Mesazhi im do të ishte, që secili që ka mundësi të kontribuoj në jetën kulturore dhe të gjithë jazz dashësit, mos ta humbin motivin, ndërsa për adhuruesit e kësaj muzikë, që ta përkrahin këtë muzikë.”
Muzika jazz zë vend të rëndësishëm në shumë kultura në botë dhe disa nga artistët më të famshëm të muzikës jazz janë: Miles Davis, Louis Armstrong, Nina Simone, Billie Holiday e të tjerë.