Muaji qershor, njihet si “Muaj i Krenarisë” së komunitetit LGBTQIA+ dhe gjatë këtij muaji, në të gjitha vendet demokratike, mirëpo edhe në vendin tonë, organizohen aktivitete të shumta që synojnë të promovojnë diversitetin, tolerancën dhe respektin ndaj komuniteteve LGBTQIA+. Kjo ditë ka lindur në nder të demonstratave të vitit 1969, në Manhatan, të njohura edhe si “Kryengritja e Stonewall” e cila shënoi një pikë kthese për komunitetet LGBTQIA+, jo vetëm në Shtete e Bashkuara të Amerikës, por gjithandej globit.
Qëllimi i shënimit të “Muajit të Krenarisë”, vjen si rezultat i sakrificave dhe përpjekjeve të komunitetit LGBTQIA+ për të arritur barazi dhe njohje të plotë të të drejtave të tyre. Sot, përveç se është një festë e gjatë, “Muaji i Krenarisë” është gjithashtu një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin shoqëror për çështjet aktuale me të cilat përballet ky komunitet.
Paradat janë një tipar i spikatur i “Muajit të Krenarisë”, ndërsa gjithandej globit organizohen edhe shumë aktivitete të tjera si lexime poetike, fjalime në publik, festivale, sesione edukative, seminare, simpoziume dhe koncerte.
“Muaji i Krenarisë” është një periudhë e rëndësishme për të festuar dhe për të reflektuar mbi arritjet dhe sfidat e komunitetit LGBTQIA+.