Me përmbajte të ujit prej 92%, shalqiri konsiderohet njëri nga frutat më freskues. Studimet e shumta kanë treguar se shalqiri përmban sasi të madhe të likopenit dhe konsiderohet si antioksidant i fuqishëm që lufton radikalet e lira që mund të dëmtojnë qelizat në trup. Përveç kësaj, shalqiri përmban sasi të konsiderueshme të vitaminës A dhe vitaminës C. Përmirëson sistemin imun, rregullon tensionin e gjakut, parandalon formimin e gurëve në veshka…etj., e këto janë ndër shumë të mirat shëndetësore që i kemi nga konsumimi i shalqirit. E për të promovuar pikërisht këto të mira shëndetësore, data e sotme, 3 gushti, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Shalqirit”. Sa i përket historikut, njerëzit e kanë konsumuar këtë frutë të shijshëm për qindra e mijëra vjet dhe gjithçka besohet se filloi nga Egjipti i Lashtë. Thuhet se kultivimi i shalqirit filloi në luginën e Nilit, që në mijëvjeçarin e dytë para Krishtit. Gjurmët e shalqirit dhe farave të tij janë zbuluar në vendet e dinastisë së 12-të egjiptiane, duke përfshirë edhe varrin e mbretit Tutankhamen. Në mbishkrimet e lashta egjiptiane, janë gjetur edhe piktura të llojeve të ndryshme të shalqirit. Sipas “The Dictionary of American Food and Drink”, fjala “shalqi” u shfaq për herë të parë në fjalorin anglez në vitin 1615. Sot, vendet që kanë konsumin më të lartë të shalqirit janë Kina, Turqia, Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.