Moti i shoqëruar me mjegull më të theksuar ditëve të fundit, nuk ka ndikuar në shtyrjen apo anulimin e fluturimeve të parapara në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Zëdhënësi i këtij Aeroporti, Bujar Gashi, për Radio KFOR-in ka thënë se situata meteorologjike e ditëve të fundit nuk ka ndikuar në orarin e planifikuar të fluturimeve, andaj çdo gjë deri më tani ka qenë krejtësisht në rregull. Se mjegulla nuk ka shkaktuar pengesa në realizimin e fluturimeve thotë edhe Ilir Isufi, parashikues meteorologjik në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. “Mjegulla këto ditë ka qenë mjaft prezente, mirëpo nuk ka shkaktuar pengesa në realizimin e fluturimeve mbrëmë dhe sot gjatë natës. Kriteret kanë qenë në favor të pilotëve dhe aeroplanëve që kanë arritur të fluturojnë nga Prishtina në vendet tjera dhe e kundërta. Dukshmëria ka lëvizur nga 500 metra gjatë natës, ndërsa deri në 2000 metra gjatë ditës. Momentalisht dukshmëria në Aeroportin e Prishtinës është 1500 metra. Gjendja meteorologjike për ditët në vijim nuk do të ketë ndryshime të mëdha. Çka mund të cekim është që nga data 19 deri me 22 ose 23 janar, mund të kemi afrim të një fronti, i cili nuk pritet të sjell të reshura të shumta në vendin tonë, por do të sjell rënie të temperaturave”, tha Z. Isufi.
Tutje, Z. Isufi bëri të ditur se nga 19 janari era do të fryjë nga drejtimi i Veriut, gjë që do të sjell mot të thatë, ku temperaturat minimale do të zbresin deri në -10 gradë, ndërsa maksimalet do të lëvizin nga -2 gradë deri në 2 gradë C.