Gripi sezonal i ‘tipit A’, ka prekur mijëra qytetarë të Kosovës, duke lënë një person të vdekur në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Disa nga shkaktarët kryesorë të virusit sezonal janë niveli i lartë i ndotjes së ajrit, mos vaksinimi me kohë dhe luhatja e temperaturave. Në një intervistë për Radio KFOR-in zyrtarja për informim nga ‘Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës’ (IKSHP) Era Pireva, na njoftoi me të dhënat zyrtare të rasteve të dyshimta me grip sezonal duke theksuar se nuk ka situatë epidemike në vend: “Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike bën mbikqyrjen permanente të personave të prekur me gripin sezonal. Prej 1 tetorit të vitit 2019 e deri me 5 Janar 2020, në institutin tonë janë raportuar gjithsej 16.588 raste të dyshimta me grip sezonal. Numri më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës dhe Prizrenit, por asnjëra nga ato nuk e kalon pragun epidemik.”
Ndërkaq zyrtari për informim në ‘Qendrën Klinike Universitare të Kosovës’ (QKUK) Drilon Asllani, tregoi për gjendjen aktuale në klinikën infektive në QKUK: “Nga 1 dhjetori 2019 e deri me 15 janar 2020, në klinikën infektive të ‘Qendrës Klinike Universitare të Kosovës’, janë konfirmuar 11 raste me gripin sezonal, prej tyre një pacient i moshës 80 vjeçare që kishte edhe probleme të tjera shëndetësore ka vdekur. Për momentin në Klinikën Infektive janë të shtrirë për trajtim 4 raste. Prej këtyre rasteve 3 janë në gjendje stabile ndërsa një person tjetër në gjëndje të rëndë.”
Nga ‘Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike’, treguan se gripi nuk ka rritje të madhe të intensitetit duke apeluar që të vaksinohen të gjithë personat të cilët janë të prekur me sëmundje kronike dhe personat mbi moshën 65 veçare. Ky Institut kanë sjellur rekomandime për të gjithë njerëzit se si të mbrojnë veten dhe të tjerët nga gripi sezonal:
- Të reduktohet numri i vizitave të familjarëve tek personat të hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale).
- Nëse keni shenja të gripit mbani distancë të paktën 1 metër prej njerëzve
- Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz
- Nëse keni shenja te gripit, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore
- Mbuloni hundën dhe gojën me faculetë në rast të kollës apo teshtitjes
- Shmangni prekjen e syve hundës apo gojës me duar të papastruara
- Nëse keni shenja të gripit, mos shkoni në punë, shkollë apo vende me shumë njerëz, por qëndroni në shtëpi
- Shmangni përqafimin, puthjen dhe shtrëngimin e duarve kur përshëndeteni
- Hidhni faculetën në vendin e duhur menjëherë pas përdorimit
- Pastroni rregullisht duart me ujë dhe sapun dhe dezinfektoni mjediset ku qëndroni
- Ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina dhe bëni aktivitet fizik