Puna profesionale, përkushtimi dhe dashuria, janë sinonim i punës 23 vjeçare, të dy mysafireve të sotme, përkthyeses, znj. Mirjeta Ballanca Kërçeli dhe zyrtares në zyrën e Burimeve Njerëzore, znj. Advie Durguti, të cilat ishin të ftuara në Radio KFOR, në kuadër të kampanjës së 23 vjetorit të misionit paqeruajtës të KFOR-it, në Kosovë.
Gjithë këto vite pune në KFOR, për znj. Mirjeta, ishin privilegj dhe të mbushura me kujtime të bukura të cilat ajo i ndau me dëgjuesit tanë: “Për mua do të thotë shumë 23 vjet punë në KFOR, sepse është privilegj dhe nder, të punoj në një organizatë siç është KFOR-i. Gjatë kësaj periudhe, një nga aspektet më të mira të punës sime, është që kam krijuar miq nga nacionalitete të ndryshme dhe kultura të ndryshme dhe kjo është e bukura e punës që bëj. Ne kemi dallime kulturore por ky diversitet kulturor na bashkon dhe na bën njerëz më të mirë. Prandaj, mesazhi im është të jetojmë në paqe, të mos paragjykojmë dhe të kemi mirësjellje ndaj njëri-tjetrit.”
Për znj. Advie, këto vite ishin edhe më të bukura kur bën punën që e do dhe ke vullnet për punë: “Kur ke vullnet dhe e do punën, çdo gjë është më e bukur dhe më e lehtë. Gjatë këtyre viteve, ka pasur momente shumë të bukura, siç ka qenë edhe fluturimi me helikopter, apo një rast tjetër në vitin 2004, kur pa përgatitje, më është dashur të përktheja gjatë një mbledhjeje. Gjithë këto vite në KFOR, për mua kanë qenë vërtetë kënaqësi dhe shumë të bukura dhe mesazhi im për të gjithë dëgjuesit do të ishte, të dhurojnë dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin dhe të mos dorëzohen asnjëherë në qëllimet që i kanë para vetes.”
Misioni i KFOR-it në Kosovë, gjatë këtyre 23 viteve, është pasuruar nga stafi civil, të cilët kanë kontribuar dhe vazhdojnë ta bëjnë edhe më tej punën e tyre me përkushtim dhe dashuri.