Nesër (24.06.22), fillon festivali tradicional, ‘DAM Festival’ dhe pritet të zgjasë deri me datën 3 korrik. Ky festival, paraqet një ngjarje kulturore që për vite me radhë ka sjellë performanca e koncerte, nga emra eminentë të muzikës klasike.
‘DAM Festival’ kësaj radhe do të nis me performancën e Wiener Kammersymphonie, Liuba Kalmykova – violinë I, Estelle Weber – violinë II, Giorgia Veneziano – violë, Sergio Mastro – violonçel, Damian Posse – kontrabas, të cilët do të performojnë në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, me fillim nga ora 19:30, që do të shënojë edhe hapjen e këtij festivali.
Rreth detajeve të këtij koncerti, Radio KFOR-i ka biseduar me drejtorin artistik të ‘DAM Festival’, z. Dardan Noka, i cili tha: “DAM Festival zakonisht është organizuar gjatë muajit mars, mund të themi që pandemia na i ka lëviz datat, e tani në qershor, po tentojmë ta organizojmë festivalin me prezencë të plotë fizike. Wiener Kammersymphonie, do të bëjë hapjen e këtij edicioni, realisht ky koncert ka qenë i paraparë të realizohet në edicionin e vitit 2020, por jemi të lumtur që kemi arritur ta ri-aranzhojmë në këtë edicion. Në program, janë veprat të kompozitorëve austriak e gjithashtu do të interpretohet premiera e veprës së Valton Beqirit – Augmend.”
‘DAM Festival’, do të vazhdojë edhe me aktivitete tjera, performanca nga sopranoja e njohur Besa Llugiqi, Kuarteti i Harqeve e përveç muzikës do të shfaqet edhe dokumentari ‘Okarina e Runikut’.