Programi i Studimit të Ballkanistikës, katër vjeçar, në Fakultetin e Filologjisë, fton maturantët e shkollave të mesme nga Kosova dhe rajoni të bëhen pjesë e tij. Lëndët e parapara do të mbahen në gjuhën shqipe dhe në një nga gjuhët ballkanike, si: serbe, kroate, boshnjake, maqedonase, bullgare, rumune, greke, etj.
Profesoresha e drejtimit të Ballkanistikës, znj. Seniha Krasniqi, për Radio KFOR-in tregoi se ky program është ndryshe dhe shumë atraktiv: “Ballkanistika është një program i ri dhe mund ta konsiderojmë këtë si program të dyfishtë, ku zbatimi i gjuhës shqipe bëhet paralelisht me mësimin e një gjuhe tjetër ballkanike. Përveç një gjuhe ballkanike, ofrojmë edhe një gjuhë tjetër, e cila është një gjuhë zgjedhore, ku studentët për një vit e gjysmë, mund të mësojnë gjuhën angleze, gjermane, frënge, spanjolle apo italiane. Nga viti i tretë fillon praktika e mësimdhënies dhe përkthimit, në mënyrë pak më intensive. Nëse studentët tanë nuk janë të kënaqur me nivelin e tyre, brenda fakultetit e kemi edhe “Qendrën e gjuhës”, ku studentët tanë mund të shkojnë edhe në kurse shtesë, për të përvetësuar gjuhën ballkanike. Pastaj, ne ofrojmë studime edhe jashtë vendit, ku bashkëpunojmë me universitete partnere.”
Pas përfundimit të programit të lartpërmendur, studentët do të pajisen me Diplomë Baçelor, e cila përmban tri komponentë, aftësimin në fushën e mësimdhënies, përkthimit interpretimit dhe hulumtimit.