Edukimi është pasaportë e së ardhmes, në përpilimin e së cilës faqe të saj, kanë merita dhe kontribut mësimdhënësit, prandaj data e sotme, 5 tetori, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërorë të Mësuesve”.
Edukimi i brezave gërsheton dashuri e sfida për mësimdhënësit, kështu tha për Radio KFOR-in, mësimdhënësja e gjuhës angleze në shkollën “International School of Prishtina”, znj. Rita Shipoli Salihu: “Unë si mësimdhënëse e gjuhës angleze e gjej veten shumë shpesh në momente sfiduese bashkë me nxënësit, sa i përket mësimit në gjuhën angleze, e ju do të thoshit: Pse…?! Sepse, ne si shkollë kemi çdo ditë nga dy orë mësimore dhe me gjithë njohuritë që kanë fëmijët sot, po duhet që të eksplorojmë edhe jashtë programit, të hulumtojmë shumë, në mënyrë që secila orë të sjell nxënie të lehtë të mësimit nga nxënësit dhe ata ta shijojnë orën njëkohësisht. Kjo, pasi fëmijët në ditët e sotme, meqenëse secili po e flet gjuhën angleze, shpesh na ndodh që gjërat me plan-program, ata veçse po i dinë dhe për këtë arsye mua si mësimdhënëse më duhet shumë material shtesë pë përgatitje, përveç librave, audios dhe ‘smart board’ që e kemi ne si shkollë. Unë, mund të them me bindje të plotë, që e shijoj çdo ditë punën si mësimdhënëse e gjuhës dhe me fëmijë të mrekullueshëm që kemi dhe jam tejet e lumtur, që jam e rrethuar me gjenerata të ndryshme të cilët edhe pasi përfundojnë shkollën tek ne, çdo herë na bëjnë që të ndihemi të dëshiruar dhe plot merita sa herë që i takojmë dhe na përshëndesin dhe kuptojmë se ata po shënojnë suksese, prandaj jo më kot thuhet se “Një mësues i mirë, është si një qiri, konsumon vetveten për të ndriçuar rrugën e të tjerëve.”
“Dita Botërore e Mësuesve”, shënohet qysh nga viti 1994 dhe përkujton nënshkrimin e Rekomandimit të UNESCO / ILO të vitit 1966, në lidhje më statusin e mësuesve dhe përmirësimin e kushteve të tyre në të gjithë botën.