Diskutimet mbi edukimin shëndetësor kanë rëndësi të veçantë në jetën e secilit. Për të mësuar më shumë për këtë temë me fokus shëndetin seksual dhe riprodhues, të martën me 11 Dhjetor nga ora 13:00, në ambientet e ‘Qendrës Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian’ në Prishtinë ( EUICC), organizuar nga koalicionin K10, do të mbahet diskutim me të rinjtë e vendit dhe panelistë të ftuar.
Radio KFOR-i ka realizuar një intervistë me eksperten e komunikimit në ‘Koalicionin K10’ Kaltrina Fejzullahu, e cila zbuloi detaje lidhur me këtë organizim:
“Rëndësia e kësaj teme për tu diskutuar është shumë e madhe, sepse të rinjtë nuk kanë shumë informata për edukimin gjithpërfshirës seksual në shkolla. Prandaj ne e kemi parë të rëndësishme që të rinjtë të informohen sa më shumë përmes diskutimeve dhe këto organizime ndihmojnë edhe në uljen e stigmës sociale, që nuk diskutohet për këtë temë”.
Ndër të tjera të rinjtë do të kenë mundësi të marrin informata për kujdesin e tyre shëndetësor dhe diskutimi është i hapur për të gjithë të interesuarit.