Gazetaria luan një rol të rëndësishëm në jetën e përditshme, duke na ndihmuar të kuptojmë më mirë atë që ndodh rreth nesh dhe duke na ofruar informacione për çështjet që ndikojnë në shoqëri.
Megjithatë, siguria e gazetarëve dhe mundësia e tyre për të raportuar lirshëm vazhdojnë të jenë çështje që kërkojnë vëmendje në mbarë botën. Kërcënimet, sulmet dhe mungesa e ndëshkimit për krimet ndaj gazetarëve mbeten sfida që prekin jo vetëm profesionistët e medias, por edhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar. Për këtë arsye, çdo vit, më 2 nëntor, shënohet ‘Dita Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë për Krimet ndaj Gazetarëve’. Kjo ditë na kujton rëndësinë e mbrojtjes së gazetarëve dhe nevojën që çdo sulm apo kërcënim ndaj tyre, duhet të trajtohet me seriozitet dhe të marrë përgjigjen e duhur nga institucionet e drejtësisë.
Sfidat me të cilat përballen gazetarët janë të ndryshme: nga presioni dhe frikësimi deri te sulmet në hapësirën digjitale. Veçanërisht, gratë gazetare përballen shpesh me ngacmime dhe kërcënime, ndërsa raportimi nga zonat e konfliktit vazhdon të kërkojë masa të veçanta sigurie.
Një shoqëri e informuar ka nevojë për gazetari të lirë dhe gazetarë të sigurt, sepse mbrojtja e tyre do të thotë edhe mbrojtje e lirisë së shprehjes, transparencës dhe të drejtës sonë për të ditur të vërtetën.







