Një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të shoqërisë dhe përparimit të njerëzimit është shkenca. Çdo vit më 10 nëntor, shënohet ‘Dita Botërore e Shkencës për Paqe dhe Zhvillim’, një ditë që synon të theksojë rëndësinë e shkencës në ndërtimin e një bote më të drejtë, më të sigurt dhe më të qëndrueshme.
E shpallur nga UNESCO, dita e sotme na kujton se njohuritë shkencore nuk shërbejnë vetëm për zbulime dhe inovacione, por edhe për të gjetur zgjidhje ndaj sfidave me të cilat përballet njerëzimi, si ndryshimet klimatike, sëmundjet, varfëria dhe mungesa e burimeve natyrore.
Përmes kërkimit shkencor, teknologjisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, shkenca luan një rol të rëndësishëm në promovimin e paqes, zhvillimit dhe mirëqenies së shoqërisë. ‘Dita Botërore e Shkencës për Paqe dhe Zhvillim’ është një thirrje për të investuar në dije, për të mbështetur studiuesit dhe për të inkurajuar brezat e rinj që të eksplorojnë, të krijojnë dhe të kontribuojnë në një të ardhme më të mirë për të gjithë.







