Komiteti Olimpik i Kosovës ka organizuar edicionin e pestë të Panairit të Sportit që do të mbahet sot (22 tetor), në 19-të komuna të Kosovës.
Kryetari i këtij Komiteti, Besim Hasani, në ceremoninë hapëse të këtij Panairi tha se synim i tyre është që të vazhdojnë me masivizimin e sportit në Kosovë, duke organizuar aktivitete të cilat joshin fëmijët të merren me sport:
“Kjo ngjarje historike i ka hapur rrugë sportistëve tanë të jenë pjesëmarrës në gara ndërkombëtare dhe të arrijnë suksese. Falë Majlinda Kelmendit, Kosova është radhitur në mesin e 100 vendeve të botës me medalje olimpike. Qëllim i këtij aktiviteti është që ju të demonstroni shkathtësitë e juaja, në mënyrë që të jeni sa më atraktivë për djemtë dhe vajzat e reja, që edhe ata të merren me sport. Me këtë rast dua që edhe arsimtarët e prindërit t’i inkurajojnë fëmijët të merren me sport, sepse ajo sjell leverdi edhe në aspektin shëndetësor e shoqëror dhe zhvillon 24 shkathtësi tek fëmijët”, tha Hasani.
22 tetori përkon me pesë vjetorin e njohjes së Komitetit Olimpik të Kosovës nga Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Panairi i Sportit 2019 organizohet në komunat, si: Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Drenasi, Vushtrria, Deçani, Obiliqi, Vitia, Kaçaniku, Fushë Kosova, Rahoveci, Podujeva, Lipjani, Gjilani, Gjakova, Hani i Elezit, Peja, Suhareka, Istogu, dhe Malisheva.